Shijak
Bashkia Shijak ka në përbërje 4 Njësi Administrative, të cilat janë: Maminas, Xhafzotaj, Shijak dhe Gjepalaj. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet (Shijakun) dhe 26 fshatra. Bashkia Shijak kufizohet në veri, perëndim dhe jug nga bashkia Durrës dhe në lindje nga bashkitë Vorë dhe Tiranë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Shijakut. Bashkia e re Shijak shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore përgjatë lumit Erzen. Shijaku është një qytet i pasur me burime ujore ndërsa ekonomia në vend është e orientuar kryesisht tek tregtia, industria fasone dhe ajo përpunuese e prodhuese. Këto biznese operojnë kryesisht në fushën e shërbimeve, tregtisë dhe me pak në fushën e prodhimit dhe ndërtimit. Shijaku është një zonë që ka patur rritje të popullsisë gjatë dekadave të fundit si pasojë e migrimit nga zonat veri-lindore të Shqipërisë. Rritja e popullsisë si dhe emigrimi kanë sjellë shumë ndërtime të reja përgjatë 25 viteve të fundit të cilat janë ndërtuar pa një plan të mirëfilltë zhvillimor. Bujqësia është orientuar drejt produkteve me vlerë të lartë të shtuar si kultivimi i perimeve dhe foragjereve, mbarështimi i bagëtive dhe pemëtarisë. Karakteristikë e komunitetit është kultivimi i perimeve e foragjereve dhe zgjerimi gjithnjë në rritje i sipërfaqes së vreshtave, pemëtoreve dhe ullishtave, dhe në zonat kodrinore kultivimi i barbunjës së hershme dhe i bostanoreve. Por një pjesë e tokës bujqësore ka mbetur e papunuar ndërsa shumë toka janë të rrezikuara nga lumi Erzen, të cilit i janë marrë sakaq pjesa më e madhe zhavorrit duke hequr për rrjedhojë edhe barrierën natyrore të tokave në të dy krahët e lumit.