Durrës
Bashkia e Durrësit është bashkia e dytë më e madhe e Shqipërisë, pas Tiranës. Njësia administrative kryesore është Durrësi, një nga qytetet më të vjetra të botës, të banuara në vazhdimësi. Në Durrës ndodhet porti kryesor i vendit, përballë porteve italiane të Barit e Brindisit. Në Durrës gjendet gjithashtu një prej amfiteatrove më të mëdha në Gadishullin Ballkanik, që mendohet të ketë patur një kapacitet prej rreth 20.000 njerëzish. Gjeografikisht bashkia Durrës kufizohet në veri nga bashkia Kurbin, në verilindje nga bashkia Krujë, në lindje nga bashkia Vorë, juglindje nga bashkia Shijak, në jug nga bashkia Tiranë e ajo e Kavajës. Në perëndim bashkia e Durrësit laget nga Deti Adriatik. Bashkia Durrës mbart rrënoja historike të lashtësisë dhe është një nga bashkitë më të rëndësishme ekonomikisht të Shqipërisë. Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës janë të regjistruar 175,110 banorë ndërsa sipas regjistrit civil popullsia rezidente është 299,989 banorë. Bashkia përbëhet nga gjashtë njësi administrative, të cilat janë: Durrësi, Sukthi, Ishmi, Katundi i Ri, Rrashbulli dhe Manëza. Në territorin e bashkisë së re gjenden tre qytete, Durrës, Sukth dhe Manëz si dhe 39 fshatra. Vija e gjatë bregdetare që i shtohet qytetit të Durrësit e thekson tiparin e kësaj bashkie si zonë turistike, pasi përveç plazhit të Durrësit asaj i shtohet i gjithë gjiri i Lalëzit si dhe Kepi i Rodonit, të cilat deri tani kanë qenë pjesë e komunave Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull. Në portin e Durrësit përpunohet mbi 90% e të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimit portual, gjë që e bën atë nyjën më të rëndësishme tregtare në vend. Për shkak të lehtësisë që krijon porti, Durrësi është zhvilluar edhe si një qytet i rëndësishëm për industrinë, ndërsa joshja nga turizmi ka shkaktuar gjatë dy dekadave të fundit një bum në sektorin e ndërtimit. Durrësi është një zonë e ndikuar në një shkallë të lartë nga migrimi i brendshëm, gjë që ka sjellë zgjerimin e shpejtë dhe informal të qytetit në zonën e ish-Kënetës si dhe përgjatë vijës bregdetare në jug të qytetit.