Bulqizë
Bashkia e Bulqizës kufizohet në veri me bashkinë e Dibrës, në perëndim me bashkinë Klos, në jugperëndim me bashkinë Tiranë, në jug me bashkinë Librazhd dhe në lindje me Republikën e Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Bulqizës. Bashkia Bulqizë ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta) dhe 63 fshatra. Bulqiza është ndërtuar në funksion të minierës dhe rezervave të mëdha natyrore, ndaj duhet ta kthejë këtë burim në dobi të bashkisë dhe qytetarëve. Relievi kodrinor-malor përcakton si burime kryesore gjeneruese bujqësinë dhe blegtorinë, por pa harruar edhe industrinë e nxjerrjes së kromit dhe atë të pasurimit të mineralit të kromit. Rajoni i Bulqizës është mjaft i njohur për minierat e kromit. Një tjetër burim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni konsiderohet edhe turizmi malor familjar si dhe ngritja e qendrave për grumbullimin e bimëve medicinale, me të cilat zona është mjaft e pasur. Ndër projektet e mëdha të ndërmarra gjatë viteve të kaluara mund të përmenden asfaltimi i segmentit të rrugës nacionale “Qafa e Buallit- Shupenzë”, pjesë e Rrugës së Arbërit, hapja e tunelit të po kësaj rruge në Qafën e Buallit me gjatësi 460 metër dhe traseja Qafa e Buallit-Ura e Vashës. Këto punë të rëndësishme publike kanë lehtësuar lëvizjen dhe transportin e qytetarëve. Po kështu, investime të rëndësishme mund të konsiderojmë edhe sistemim-asfaltimet e rrugëve rurale që lidhin qendrat e komunave Zerqan, Fushë-Bulqizë dhe Gjoricë, me rrugën nacionale. Qyteti i Bulqizës, i ndërtuar në funksion të minierës së kromit dhe rezervave të mëdha të kromit ka një numër të konsiderueshëm biznesesh, ndërsa numri i të punësuarve në minierë si dhe përfitimet ekonomike nga punësimi kanë variuar shumë gjatë dekadave të fundit .