Tropojë
Bashkia Tropojë shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe kufizohet në veri me Republikën e Kosovës dhe të Malit të Zi, në perëndim me Bashkinë Shkodër, në jug me bashkitë Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz dhe në juglindje me Bashkinë Has. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Bajram Currit. Sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 28,216 banorë. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 1057.3 km2 me një densitet prej 26.68 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative: Bajram Curri, Fierza, Lekbibaj, Margegaj, Llugaj, Bujan, Bytyçi dhe Tropojë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bajram Currin dhe Fierzën) dhe 68 fshatra. Tropoja zotëron pasuri të shumta natyrore, por mungesa e investimeve dhe e perspektivës së zhvillimit ka detyruar një pjesë të konsiderueshme të banorëve të kryejnë migrim të brendshëm dhe të jashtëm. Mesatarja e rënies së popullsisë në shkallë rrethi është 26.60 %. Tropoja është një zonë kryesisht bujqësore dhe blegtorale. Sektorët prioritare me bazë zhvillimi për të ardhmen konsiderohen turizmi rural dhe malor, prodhimi bujqësor dhe përpunimi i produkteve bujqësore, duke u mbështetur në kushtet e përshtatshme natyrore, klimatike dhe gjeografike të rrethit. Ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë konsiderohet industria nxjerrëse e minierave. Një rol të rëndësishëm luan sektori i blegtorisë, pasi zona ka shumëllojshmëri të kullotave natyrore. Hapësira e gjerë e kullotave alpine ofron një kapacitet të mjaftueshëm për zhvillimin e blegtorisë. Tropoja ka kushte të favorshme edhe për zhvillimin e bletarisë. Por pavarësisht nga cilësia e mjaltit, ai karakterizohet nga një rendiment relativisht i ulët, rreth 9 kg/zgjua. Në përdorim më të lartë rezulton mjalti i Zogajve (Bytyç) dhe mjalti i gështenjës (kryesisht në zonën e Krasniqes), i cili rekomandohet për vetitë e tij kurative. Industria minerare është përqendruar në një numër të vogël kompanish, në krahasim me potencialin e madh mineral të Tropojës. Mineralet kryesore që ndeshen në rrethin e Tropojës janë kromi (3 milion ton të pa shfrytëzuara), kuarci (300 mijë tonë të pa shfrytëzuar), boksitet (3 milion ton të pa shfrytëzuar), olivinitet (50 milion ton të pa shfrytëzuar). Turizmi është sektori me perspektivën më premtuese për të ardhmen e Tropojës. Turizmi malor është nën sektori kryesor, i cili është i zhvilluar kryesisht në Luginën e Valbonës, por edhe në shumë atraksione të tjera të pashfrytëzuara. Rrethi i Tropojës karakterizohet nga etnografia, folklori, historia dhe gastronomia e pasur.