Pukë
Bashkia Pukë kufizohet në veri dhe në perëndim me Bashkinë e Vaut të Dejës, në lindje me Bashkinë Fushë Arrëz dhe në jug me Bashkitë Mirditë dhe Lezhë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Pukës. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Puka, Gjegjani, Rrapë, Qelëz dhe Qerret. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 41 fshatra . Bashkia e Pukës është e pasur me minerare dhe sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, por mungesa e investimeve i ka detyruar banorët e saj të marrin rrugët e emigrimit . Bashkia e Pukës është një ndër zonat e pasura minerare të vendit, e cila disponon gjithashtu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Megjithatë, prerja pa kriter e pyjeve ka shkaktuar jo pak probleme për këtë zonë. Mbyllja e minierave apo dhënia e tyre me koncension ka shtuar numrin e të papunëve në Pukë, duke e kthyer varfërinë në një problem akut për banorët e zonës. Për shkak të saj, një pjesë e mirë e popullatës ka migruar në drejtim të Shqipërisë së Mesme ose emigruar jashtë Shqipërisë. Të ardhurat nga emigracioni janë një burim i rëndësishëm mbijetese për këtë bashki. Prej vitesh në këtë zonë kanë munguar investimet me rëndësi, ndërsa rruga Durrës-Kukës e ka aneksuar dhe izoluar edhe më shumë Bashkinë e Pukës. Terreni malor i Pukës është shumë i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit malor; krahas pasurive dhe burimeve natyrore me vlera të mëdha ekonomike që gjenden brenda hapësirës gjeografike të Pukës, kryesisht pyje natyrore, bimë mjekësore, pasuri nëntokësore minerare. Gjatë viteve të fundit, një numër i vogël turistësh janë rikthyer në Pukë për shkak të hapjes së një piste skish dhe ndërtimit të disa haneve. Megjithatë, numri i tyre vazhdon të mbetet i ulët. Problem për Bashkinë e Pukës vijon të mbetet stina e dimrit, ku bllokimi i rrugëve nga dëbora izolon një pjesë të mirë të zonës dhe vështirëson edhe më shumë jetesën e banorëve .