Mirditë
Bashkia Mirditë shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë, duke u kufizuar në veri me Bashkitë e Fushë Arrëzit dhe Pukës, në perëndim me të Lezhës dhe në lindje me Bashkinë e Kukësit dhe të Dibrës. Në juglindje kufizohet me bashkinë Dibër, në jug me bashkinë Mat dhe Kurbin. Qendra e bashkisë është qyteti i Rrëshenit. Bashkia përfshin 4 qytete dhe 81 fshatra, të shpërndara në 7 njësitë administrative: Rrëshen, Rubik, Selitë, Kthellë, Fan, Orosh dhe Kaçinar. Pas ndërtimit të autostradës A1 (Rruga e Kombit), Mirdita mori rëndësi si rrugë kalimi dhe si porta natyrore hyrëse për në Kosovë. Ndërtimi i Rrugës së Kombit megjithëse përmirësoi volumin e lëvizjes dhe cilësinë e udhëtimit, solli një ndikim modest në zhvillimin socio-ekonomik të zonës. Integrimi i zonave rurale me ato urbane dhe migrimi i brendshëm drejt qyteteve të mëdha janë sfidat që ndikonë në cilësinë e jetesës dhe zhvillimit ekonomik e social të bashkisë. Bashkia Mirditë shtrihet në një territor me trashëgimi të larmishme kulturore e etnografike dhe nëntoka e saj është e pasur me minerale. Nëntoka e Mirditës është e pasur veçanërisht me bakër dhe pirit, të cilat sollën krijimin e katër qyteteve te lidhura me industrinë minerare. Pjesa më e madhe e kësaj industrie, aktualisht, është jashtë funksionit. Kjo është një nga arsyet që Mirdita shënoi një ndër nivelet më të larta të migrimit të brendshëm si dhe të emigrimit jashtë vendit përgjatë 25 viteve të fundit . Një nga fushat më interesante është shfrytëzimi i kapaciteteve hidroenergjetike të lumenjve të Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël, Urakës, Zallit të Dodajve, dhe përrenjve të tjerë malorë, ku vlerësohet se mund të sigurohen kapacitete prodhuese energjetike. Këto burime hidrike mund të shfrytëzohen mjaft mirë edhe për prodhime të faunës ujore .