Lezhë
Bashkia Lezhë është një nga 61 bashkitë e Republikës së Shqipërisë, e pozicionuar ne veri-perëndim të vendit. E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i Shëngjinit, Lezha ofron mundësi të larmishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit . Zona Gjeografike: Lezha kufizohet në veri me Bashkitë e Vaut të Dejës dhe Pukës, në perëndim me Detin Adriatik, në lindje me Bashkinë e Mirditës dhe në jug me Bashkinë Kurbin. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Lezhës. Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Lezha, Shëngjini, Zejmeni, Shënkolli, Balldreni, Kallmeti, Blinishti, Dajçi, Ungreji dhe Kolshi. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Lezhë dhe Shëngjin) dhe 65 fshatra. Bashkia përbëhet nga 10 njësi administrative (Lezhë, Shëngjin, Shënkoll, Zejmen, Kallmet, Dajç, Blinisht, Balldre, Kolsh, Ungrej) ka një popullsi prej 108,027 banorë ku rreth 50,000 prej tyre jetojnë në Qytetin e Lezhës, dhe një sipërfaqe prej 1,588.4 km2. Bashkia Lezhë ka si kryeqendër qytetin e Lezhës. Qyteti i Lezhës-Qendër Qarku e Prefekturë me të njëjtin emër është themeluar në vitin 385 para erës së re nga Dionizi i Sirakuzës. Gjatë tërë periudhave, qyteti i Lezhës ka luajtur rol të veçantë në historinë Iliro-Shqiptare. Vetë pozicioni gjeografik ku shtrihet qyteti, së bashku me rrethinat e tij ka bërë që Lezha që në lashtësi të jetë një ndër qendrat tregetare e politiko-ushtarake më të rëndësishme. Lezha, nëpërmjet Portit të Shëngjinit, ka realizuar në shekuj shkëmbime të shumta në fusha të ndryshme ekonomike e kulturore me botën e jashtme, duke ndikuar kështu ndjeshëm në zhvillimin shoqëror. Është kjo një ndër arsyet që, pikërisht në këtë qytet në momente të caktuara të historisë sonë janë organizuar aktivitete politiko-kulturore të nivelit të lartë kombëtar, si: "Lidhja e Lezhës" në vitin 1444 dhe "Kuvendi i Arbërit" në vitin 1703. Është gjithashtu e dokumentuar se ky qytet, sëpaku që në shekullin e VIII-të para erës së re, ka qenë i banuar pandërprerje nga popullsi iliro-arbëreshe-shqiptare.