Fier
Bashkia e Fierit shtrihet në një sipërfaqe prej 619.9 km2 në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, mes lumenjve Seman dhe Vlorë. Pjesa dërrmuese e Bashkisë së re shtrihet në zonë fushore të ulët ndërsa komunat Cakran dhe Frakull kanë territor kodrinor. Bashkia e re e Fierit përbëhet nga dhjetë njësi administrative: Fier, Cakran, Mbrostar Ura, Libofshë, Qendër, Dërmenas, Topojë, Levan, Frrakull dhe Portëz. Bashkia ka nën administrimin e saj 1 qytet dhe 85 fshatra. Sipas regjistrit të gjendjes civile për vitin 2016, Bashkia e Fierit numëron një popullsi prej 200,376 banorësh. Bashkia e re ka një vijë bregdetare të konsiderueshme, nga grykëderdhja e lumit Vjosë deri në grykëderdhjen e lumit Seman në kufijtë e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe pjesë e saj është dhe parku arkeologjik i Apollonisë, krahas objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore. Për më tepër, Bashkia e Fierit përfshin zonat bujqësore më të rëndësishme të vendit, si dhe një pjesë të konsiderueshme të industrisë që lidhet me përpunimin e naftës. Prodhimi bujqësor i kësaj zone është i shumëllojshëm nga drithi te zarzavatet, bostanoret, blegtoria dhe nënproduktet e saj.