Ky kuadër bazohet në metodologjinë dhe strukturën e Barometrit të Qeverisjes Vendore (LGB) të adoptuar me zhvillimin e qeverisjes vendore në kontekstin e Shqipërisë. Modeli i Barometrit të Qeverisjes Vendore (LGB) përfshin një sërë treguesish të qeverisjes vendore që përdoren nga grupet e ndryshme të interesit për të vlerësuar performancën e masave të ndërmarra nga qeveria në nivel vendor. Kjo metodë thekson rritjen e ndërgjegjësimit dhe dialogut konstruktiv rreth qeverisjes dhe paraqet një pasqyrë anëve të forta dhe atyre të dobëta të qeverisjes. Kuadri analitik i bazuar te LGB siguron përfaqësimin e aktorëve si nga qeveria (stafi kryesor i qeverisjes vendore) edhe nga aktorët joqeveritarë (qytetarët dhe OSHC-të). Ai përqendrohet më shumë në dimensionet “interaktive” të qeverisjes, me qëllim që të ofrojë një vlerësim të situatës për secilën prej bashkive.
- Efektiviteti dhe Eficenca
Efektiviteti nënkupton kapacitetin për koordinimin dhe planifikim e zhvillimit/financiar të administratës vendore për t’iu përgjigjur prioriteteve të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik. Administrata vendore përgatit dhe ofron shërbime cilësore për qytetarët duke përdorur në mënyrën më të mirë burimet publike dhe natyrore që disponon me qëllim përmbushjen e objektivave të deklaruara të zhvillimit. Eficenca nënkupton përdorimin me kosto efektive të burimeve të kufizuara njerëzore dhe financiare, pa pasur humbje, vonesa apo keqpërdorim. Efektivitet do të thotë se burimet e kufizuara kontribuojnë maksimalisht në prioritetet dhe objektivat e zhvillimit të Bashkisë
Ky kriter përfshin disa nën-kritere të tilla si:
- Vizioni dhe planifikimi I administratës vendore (nëse kanë kaluar përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrje),
- Menaxhimi financiar (planifikimi dhe menaxhimi I burimeve financiare vendore),
- Vendimmarrja e informuar (e bazuar në informacione të besueshme dhe përditësuara),
- Koordinimi dhe bashkëpunimi (ndërveprimi I bashkisë me qeverinë qendrore, donatorët dhe bashkitë e tjera): dhe
- Niveli I kënaqësisë me shërbimet publike (cilësia dhe aksesueshmëria e shërbimeve publike)
- Transparenca dhe Sundimi i Ligjit
Transparenca nënkupton që veprimet, vendimet, proceset vendimmarrëse të administratës vendore bëhen publike dhe të hapura për ekzaminim/pyetje nga njerëzit të cilët janë të prekur drejtpërdrejtë nga këto vendime. Transparenca është e lidhur me qasje të papenguar në informacione të besueshme dhe të dhëna në kohë reale mbi vendimet dhe performancën e administratës vendore. Sundimi i Ligjit përfaqëson termat e kontratës sociale sipas të cilës qytetarët bashkëjetojnë me njëri-tjetrin dhe drejtohen nga autoriteti publik. Sundimi i ligjit mbizotëron kur kushtet e kontratës sociale respektohen nga qytetarët dhe qeveria, ku këto kushte zbatohen ose nëpërmjet bashkëpunimit vullnetar ose përmes institucioneve dhe procedurave ligjore, dhe kur shkeljet e kushteve të kontratës dënohen.
Për plotësimin e këtij kuadri ky kriter është përfaqësuar nga nën-kriteret e mëposhtme:
- Transparenca (nëse performanca e ofrimit te shërbimeve publike dhe planifikimi dhe përdorimi i burimeve janë në dispozicion dhe të aksesueshme për qytetarët);
- Sundimi i Ligjit sa i takon Kuadrit Ligjor Institucional në nivel vendor (nëse ekziston ose jo kuadri ligjor dhe nëse ky i fundit është efektiv); dhe
- Korrupsioni (ekzistenca e politikave anti-korrupsion, niveli i perceptimit për korrupsionin, niveli i eksperiencës me korrupsionin).
- Llogaridhënia
Llogaridhënia përcaktohet aftësia e bashkisë për të shpjeguar dhe raportuar veprimet e saj te qytetarët, këshilli bashkiak si dhe për të trajtuar ankesat e qytetarëve. Administrata vendore është në gjendje të shpjegojë dhe argumentojë dhe të japë llogari për vendimet/veprimet e saj (bazuar në objektiva të dakorduara paraprakisht) për komunitetin. Llogaridhënia ka të bëjë me idenë e dhënies së përgjigjeve në cilësi dhe kohë (përgjigjshmërisë).
Kriteri i llogaridhënies është i përbërë nga nën-kriteret e mëposhtme:
- Mekanizmat e kontrollit (nëse ka ose jo institucione të cilat kontrollojnë, mbikqyrin dhe sanksionojnë administratën vendore);
- Komunikimi dhe Reagimi (nëse ka mekanizma lehtësuese për parashtrimin e ankesave dhe ndarjen e mendimeve nga ana e qytetarëve dhe nëse janë efektive); dhe
- Përgjigjshmëria e administratës vendore (niveli i reagimit të administratës vendore ndaj kërkesave dhe ankesave).
- Pjesëmarrja dhe Angazhimi i Qytetarëve
Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve (përfshirja e grupeve të ndryshme të interesit) dhe shoqërisë civile në planifikimin e zhvillimit vendor me qëllim alokimin e duhur të burimeve në ndërhyrjet e administratës vendore. Kjo përfshin pjesëmarrjen aktive, gjithëpërfshirëse të lirë dhe kuptimplotë të burrave, grave dhe grupeve të tjera nga komuniteti në procesin e vendimmarrjes.
Kriteri i pjesëmarrjes dhe Angazhimit të Qytetarëve përfaqësohet nga nën-kriteret e mëposhtme:
- Kuadri institucional (nëse ekziston një kuadër institucional efektiv për menaxhimin dhe sigurimin e pjesëmarrjes qytetare);
- Vendimmarrja (përfshirja e të gjithë palëve të interesuara në procesin e vendimmarrjes);
- Pjesëmarrja qytetare (niveli i ndërveprimit me administratën vendore); dhe
- Angazhimi qytetar (niveli i aktivizimit të qytetarëve, OSHC-ve dhe medias në çështjet kryesore të zhvillimit vendor).
Për secilin kriter, janë zhvilluar nën-kriteret përkatëse dhe secili këtyre të fundit përfaqësohet nga tregues të rëndësishëm (pyetje) që shërbejnë për të ndihmuar dhe analizuar kriterin mëmë.