Si pjesë e instrumenteve të vlerësimit dhe monitorimit të dizajnuara në kuadër të projektit STAR2, Vlerësimi i Situatës së Qeverisjes Vendore është një ushtrim i veçantë që duhet të ndërmerret në fillim dhe në fund të zbatimit të projektit. Vlerësimi fillestar i situatës duhet idealisht të paraprijë dhe të informojë aktivitetet pasuese të projektit, ndërsa vlerësimi përfundimtar i situatës do të shërbejë për të siguruar një matje të ndryshimeve në mjedisin e qeverisjes lokale, si dhe të identifikojë çdo efekt në qeverisjen lokale që i atribuohet projektit STAR2.
Objektivi i këtij hulumtimi është të ndërmarrë një vlerësim kombëtar të situatës së qeverisjes vendore për 61 bashkitë e Shqipërisë. Vlerësimi do të shërbejë që të informojë se si qytetarët e jetojnë qeverisjen vendore dhe se si boshllëqet e qeverisjes vendore shihen nga perspektiva të ndryshme. Për qëllimin e këtij vlerësimi është zhvilluar një Kuadër Analitik për Qeverisjen Vendore. Ky kuadër bazohet në metodologjinë dhe strukturën e Barometrit të Qeverisjes Vendore (LGB) të adoptuar me zhvillimin e qeverisjes vendore në kontekstin e Shqipërisë. Modeli i Barometrit të Qeverisjes Vendore (LGB) përfshin një sërë treguesish të qeverisjes vendore që përdoren nga grupet e ndryshme të interesit për të vlerësuar performancën e masave të ndërmarra nga qeveria në nivel vendor. Kjo metodë thekson rritjen e ndërgjegjësimit dhe dialogut konstruktiv rreth qeverisjes dhe paraqet një pasqyrë anëve të forta dhe atyre të dobëta të qeverisjes. Kuadri analitik i bazuar te LGB siguron përfaqësimin e aktorëve si nga qeveria (stafi kryesor i qeverisjes vendore) edhe nga aktorët joqeveritarë (qytetarët dhe OSHC-të). Ai përqendrohet më shumë në dimensionet “interaktive” të qeverisjes, me qëllim që të ofrojë një vlerësim të situatës për secilën prej bashkive.
Fokusi do t’i kushtohet katër kritereve të mëposhtme:
- Efektiviteti dhe Eficenca,
- Transparenca dhe Sundimi i Ligjit,
- Llogaridhënia,
- Pjesëmarrja dhe Angazhimi Qytetar.
Meqenëse çështje gjinore si dhe perspektivat e grupeve vulnerabël janë kritike për cilësinë e ushtrimit të vlerësimit të situatës, përbrenda katër kritereve i është kushtuar një konsideratë e rëndësishme Barazisë në aksesin në burime, mundësi si dhe në procese vendimmarrëse për të gjithë qytetarët etj.
Vlerësimi ka përdorur disa metoda si: Karta e Raportimit të Qytetarëve, Intervistat Gjysmë të Strukturuara me profesionistë të nivelit të lartë në çdo bashki, Fokus Grupe në Bashki me drejtorët e drejtorive kryesore, Dialogje me Komunitetin si dhe të dhënat nga Kërkimi Dytësor.
Synimi i këtij raporti është përshkrimi sasior dhe cilësor i statusit të qeverisjes vendore të Delvinës, boshllëqet, mundësitë dhe çështjet që duhet të adresohen në afatshkurtër dhe afatmesëm. Instrumentet e përdorura në këtë përqasje do të shërbejnë për të siguruar me të dhëna nga burime të ndryshme Kuadrin Analitik të Qeverisjes Vendore.
Vlerësimi i Situatës së Qeverisjes Vendore kryhet në kuadër të projektit STAR 2, të zbatuar nga UNDP, me mbështetjen e Qeverisë Italiane, Qeverisë Suedeze, Qeverisë Zvicerane dhe USAID.