Lushnje
Bashkia e re e Lushnjës përbëhet nga njëmbëdhjetë njësi administrative: Lushnjë, Allkaj, Bubullimë, Hysgjokaj, Golem, Dushk, Karbunarë, Ballagat, Fier Shegan, Kolonjë dhe Krutje; dhe ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Bashkia e Lushnjës shtrihet në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë në një sipërfaqe 373 km2 dhe karakterizohet nga një reliev i butë, me pjesën dërrmuese të sipërfaqes të zënë nga fusha dhe kodra te buta. Sipas regjistrit të gjendjes civile për vitin 2016, Bashkia e Lushnjës numëron një popullsi prej 129,604 banorësh. Ekonomia e Bashkisë është kryesisht e përqendruar në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, të cilët sigurojnë dhe pjesën më të madhe të punësimit. Megjithatë gjen zhvillim dhe sektori i shërbimeve e disi më pak ai industrial. Bashkia e Lushnjës zotëron një pozicion te favorshëm gjeografik duke qenë një udhëkryq shumë i rëndësishëm, afër me portet kryesore të vendit, me aeroportin e vetëm të vendit dhe përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Fier.